Gjykata e Durrësit, ka konfirmuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Bledar Çunit, i cili 3 ditë më parë u arrestua në qytetin e Beratit, teksa ishte duke festuar “Baby Shower” për të mësuar gjininë e bebit të bashkëshortes së tij.
Mësohet se gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor Çuni ka pretenduar se nuk ka dashur ta vrasë Fabion Kuçin, por vetëm ta trembi atë për shkak të sharjeve dhe ofendimeve, që ai i ka bërë në social median Tik-Tok.
Por këto pretendime nuk u morën në konsideratë nga gjykata e Durrësit, e cila rikonfirmoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Bledar Çunin, ndaj të cilit prokuroria e këtij qyteti ka ngritur akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
I dëmtuari i kësaj dosjes Fabion Kuçi është një personazh i famshëm në “Tik-Tok” dhe njihet ndryshe me pseudonimin “Gucci”. Në muajin dhjetor të vitit 2025, ai u sulmua me armë dhe sende të forta në ambjentet e një lokali në Durrës, duke mbetur i plagosur.
35-vjeçari Çuni u shpall në kërkim për ngjarjen kriminale të regjistruar në muajin dhjetor 2025, pasi në qytetin e Durrësit, së bashku me disa persona të tjerë si Fabjan Brahja dhe L.B., kanë goditur dhe plagosur me armë zjarri të riun Fabion Kuçin.
Edhe pse ndodhej në arrati, Çuni kishte shkuar në Berat për të parë gjininë e fëmijës së bashkëshortes së tij dhe për këtë gjë ishte organizuar dhe një festë familjare dhe shoqërore në ambientet e lokalit.
Por, pas mbarimit të festës, oficerë të policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ardhura nga Fieri në Berat, kanë bërë arrestimin e Bledar Çunit, duke e shoqëruar më pas në ambientet e policisë.
Çuni, nuk ka mundur të bëjë asnjë rezistencë, ndërsa makina e tij dhe e disa personave është kontrolluar nga policia e Beratit për prezencën ose jo të armëve dhe sendeve të tjera të paligjshme, por pa rezultat.
Ndërkohë, më parë në zonën e Kamzës, policia e Durrësit arrestoi bashkëpunëtorin e tij, Fabjan Brahja, i cili është ndaluar në muajin maj 2026, brenda banesës së tij në Kamëz.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Durrësit, njeriu që ka qëlluar me pistoletë, duke sjellë plagosjen e Kuçit, dyshohet të jetë pikërisht Bledar Çuni, një personazh ky me precedent të mëparshëm penal dhe i ndaluar disa herë nga policia kriminale e Durrësit për akuzën e “Tregtimit dhe trafikimit të drogës”, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.
