Tensione dhe përplasje fizike janë shënuar mes protestuesve dhe forcave të policisë jashtë godinës së Parlamentit të Shqipërisë, ndërsa brenda vijon seanca plenare ku pritet të votohet edhe Reforma Territoriale.
Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe të heqin barrierat e vendosura përreth perimetrit të Kuvendit.
Përplasjet janë shoqëruar me shtyrje dhe konfrontime fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Situata është përshkallëzuar më tej, teksa policia ka përdorur spraj dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonën përpara Parlamentit. Një pjesë e tubuesve u ndjenë keq për shkak të gazit të përdorur.
Më pas, disa prej protestuesve u kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave aty pranë.
Gjatë protestës janë raportuar edhe persona të shoqëruar nga policia, ndërsa përplasjet kanë sjellë edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në zonën pranë Parlamentit./
