Debati i ndezur sot në mëngjes pas publikimit nga deputeti Taulant Balla të një fragmenti nga kinematografia e realizmit socialist, ku figura e klerikut ortodoks shfaqet në dialogjet për përdorimin e gjuhës greke në kishë, ka sjellë reagimin e parë të fortë nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi, dhe më pas edhe mbështetjen e hapur të Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andoni.
Duke u lidhur me reagimin e mëngjesit të sotëm dhe me shqetësimin e ngritur nga Imzot Anastasi, Mitropoliti Andoni sqaron fillimisht se çfarë përfaqësonte kinematografia e periudhës komuniste dhe si ndikoi ajo në perceptimin shoqëror:
“Kinematografia e periudhës komuniste, krahas vlerave artistike që mund të mbartin vepra të veçanta, ishte edhe një instrument i edukimit ideologjik të shoqërisë. Në kuadër të propagandës ateiste, figura e klerikut shpesh u deformua, u karikaturizua dhe u identifikua me prapambetjen, paditurinë dhe interesat antikombëtare.”
Ky deformim i qëllimshëm, sipas tij, nuk mund të shihet jashtë tragjedisë historike që e shoqëroi, prandaj ai rikujton se Shqipëria demokratike ka një përgjegjësi të qartë ndaj së kaluarës:
“Shqipëria demokratike ka detyrimin moral të mos e shkëpusë këtë trashëgimi kinematografike nga konteksti historik në të cilin ajo u krijua.”
Në vijim të këtij arsyetimi, Imzot Andoni nënvizon se respekti ndaj gjuhës shqipe dhe figurave të shquara të kombit nuk duhet të kthehet në zhvlerësim apo etiketim kolektiv të besimtarëve dhe klerit:
“Nderimi i gjuhës shqipe dhe i figurës së Petro Nini Luarasit nuk kërkon zhvlerësimin e dinjitetit të klerit orthodhoks. Pranimi i konflikteve dhe padrejtësive të së kaluarës nuk duhet të shndërrohet në përgjithësim dhe stigmatizim të një bashkësie të tërë fetare.”
Duke e zgjeruar vështrimin te kontributi historik i figurave ortodokse në gjuhë, kulturë dhe ndërgjegje kombëtare — si Kostandin Kristoforidhi, At Stath Melani, Imzot Theofan S. Noli dhe Papa Kristo Negovani — Mitropoliti i Elbasanit thekson se reagimi i tyre nuk është çështje censurimi, por leximi kritik dhe përgjegjësie publike:
“Nuk kërkojmë censurimin e filmave të së kaluarës. Kërkojmë që ata të lexohen në mënyrë kritike dhe në kontekstin e tyre historik, që arti të mos ngatërrohet me të vërtetën dokumentare dhe propaganda e djeshme të mos riprodhojë paragjykime në shoqërinë e sotme.”
Së fundi, ai e përmbyll qëndrimin e tij duke e vendosur mbrojtjen e dinjitetit të klerit përtej çdo ndasie partiake, mbi bazën e kujtesës së përbashkët dhe bashkëjetesës:
“Mbrojtja e dinjitetit të klerit orthodhoks nuk është një qëndrim partiak. Është mbrojtje e kujtesës historike, e lirisë së besimit dhe e respektit të ndërsjellë mbi të cilin duhet të ndërtohet bashkëjetesa jonë kombëtare. Gjuha shqipe na bashkon. Besimi nuk duhet të na ndajë. Ndërsa e vërteta historike na detyron të gjithëve.” — † ANDONI, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit.
