Debate të forta janë regjistruar sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku Bledi Çuçi dhe Taulant Balla janë përplasur lidhur me mënyrën e trajtimit të çështjes së Elisa Spiropalit dhe procedurën e përjashtimit.
Sipas bisedave të zbardhura ekskluzivisht nga VNA, Bledi Çuçi ka kërkuar qartësi mbi atë çfarë po i kërkohet grupit të votojë, duke ngritur nevojën për një votim të posaçëm në grup nëse synohet përjashtimi.
“Duhet t’a kuptojmë se çfarë po votojmë. Po e përjashtojmë apo po të autorizojmë ty që të bësh një bisedë me Spiropalin. Nëse duhet të përjashtojmë dikë, duhet të kryejmë një votim në grup, që të jetë i qartë si vitin përjashtimi”, është shprehur Çuçi.
Nga ana tjetër, Taulant Balla ka kundërshtuar këtë qasje, duke argumentuar se vendimi politik është marrë tashmë nga Asambleja dhe është komunikuar nga kryetari i partisë, çka sipas tij reflektohet edhe te grupi parlamentar. Balla ka kritikuar standardin e dyfishtë lidhur me kërkesat për votim.
“Tani, kemi një vendim politik të marrë nga Asambleja dhe të komunikuar nga Kryetari i Partisë. Ajo vendimmarrje ndikon edhe grupin parlamentar që është një strukturë politike. Tani, juve kur Edi Rama kryetari i partisë ju vendos në poste, ju pranoni atë që ai vendos. Kur vjen puna tek raste si ky, doni votim. Kur merrni role, nuk kërkoni votim në forume”, ka deklaruar Balla.
Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së, u vu re gjithashtu se Fatmir Xhafaj nuk ishte i pranishëm.
