Një projekt spektakolar për lidhjen e Shqipërisë me Italinë përmes një tuneli gjigant nën Adriatik po rikthehet në vëmendje, me një ide që, nëse do të realizohej, do të ndryshonte rrënjësisht mënyrën e lidhjes së Ballkanit me Evropën Perëndimore.
Bëhet fjalë për një propozim për një tunel Vlorë–Otranto, që do të shtrihej për rreth 105 kilometra, duke përfshirë një segment të gjatë nën ujërat e Adriatikut. Projekti parashikon një infrastrukturë të kombinuar për transportin rrugor dhe hekurudhor.
Sipas konceptit të publikuar nga faqja “build_alive”, tuneli do të kishte tuba të veçantë për automjetet dhe trenat, ndërsa linja hekurudhore do të mundësonte lëvizjen e trenave me shpejtësi deri në 300 km/orë. Në skenarin e propozuar, kalimi mes dy brigjeve do të mund të realizohej në rreth 10-15 minuta.
Ideja është që lidhja Vlorë–Otranto të mos shërbejë thjesht si një alternativë ndaj transportit detar, por të krijojë një korridor të ri strategjik mes Italisë dhe Ballkanit, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Nëse do të realizohej, një lidhje e tillë do të kishte potencial të madh për turizmin, tregtinë dhe transportin. Vlora do të fitonte një akses të drejtpërdrejtë tokësor me rrjetin italian, ndërsa Shqipëria do të pozicionohej edhe më fort si një pikë lidhëse mes Ballkanit dhe Evropës.
Përmasat e projektit janë ato që e bëjnë veçanërisht spektakolar. Me mbi 100 kilometra gjatësi, tuneli i propozuar do të ishte shumë më i gjatë se disa prej tuneleve nënujore më të njohura në botë.
Megjithatë, sipas EPOST duhet theksuar se bëhet fjalë për një propozim/vizion dhe jo për një projekt zyrtar që aktualisht është në ndërtim. Tuneli Vlorë–Otranto figuron si një strukturë e propozuar nën Kanalin e Otrantos.
Pra, për momentin, Vlora dhe Otranto mbeten të ndara nga deti. Por ideja e një korridori të drejtpërdrejtë nën Adriatik ngre një pyetje interesante: a mund të jetë ky një nga projektet që në të ardhmen do ta ndryshonte pozicionin e Shqipërisë në hartën europiane të transportit?
