Prej disa ditësh, përdorues të Vodafone Albania kanë denoncuar probleme të vazhdueshme me mbulimin dhe sinjalin telefonik, veçanërisht përgjatë zonave bregdetare të jugut të vendit.
Shqetësimet janë raportuar në disa prej zonave më të frekuentuara gjatë sezonit turistik, përfshirë Borshin, Vlorën, Himarën, Sarandën dhe Ksamilin, ndërsa probleme me sinjalin janë raportuar edhe në Shëngjin, në veri të vendit.
Bëhet fjalë për një problem që prek përdoruesit e një prej kompanive më të mëdha të telefonisë celulare në tregun shqiptar. Sipas denoncimeve të qytetarëve, në zona të ndryshme ka pasur vështirësi në kryerjen dhe marrjen e telefonatave, si edhe probleme me shërbimet që kërkojnë lidhje të qëndrueshme me rrjetin celular.
