Një qytetar ka denoncuar një rast që, sipas tij, lidhet me mënyrën se si persona që i janë prezantuar si përfaqësues të Jetbank e kanë kontaktuar, duke i premtuar përfitime financiare në këmbim të hapjes së një llogarie.
Sipas denoncimit të bërë për JOQ, qytetari është telefonuar pak ditë më parë dhe i është komunikuar se ishte përzgjedhur për të hapur një llogari në Jetbank, me disa benefite, mes tyre edhe një bonus në para. Gjithashtu, atij i është thënë se tërheqjet dhe depozitimet do të kryheshin me 0% interes.
Qytetari thotë se, pas komunikimit me personat që e kontaktuan, ka dhënë të dhënat e kërkuara dhe ka hapur llogarinë. Sipas tij, i është premtuar se bonusi do të kreditohej brenda 48 orësh.
Por, sipas denoncuesit, kanë kaluar tashmë 5-6 ditë dhe bonusi nuk është kredituar.
Situata, sipas tij, është bërë edhe më shqetësuese pasi ka kërkuar mbylljen e llogarisë, por pretendon se kërkesa nuk është pranuar. Ai thotë se personat që e kanë kontaktuar vijojnë të insistojnë që ai të vazhdojë procedurat.
“Morën të dhënat, hapa llogarinë dhe më thanë që për 48 orë do kalonte një shumë bonus nga ana e tyre. Kanë kaluar 5-6 ditë dhe as bonus nuk kanë hedhur, madje as të më mbyllin llogarinë nuk pranojnë”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Ai ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si janë përdorur të dhënat e tij personale dhe kërkon të mësojë se përse iu premtua një bonus që, sipas tij, nuk është dhënë dhe përse nuk po i mundësohet mbyllja e llogarisë.
Denoncuesi pretendon se disponon edhe komunikimet e zhvilluara me personat që e kanë kontaktuar dhe kërkon që rasti të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.
Në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna personale dhe një llogari bankare të hapur në emër të një qytetari, pretendimet ngrenë pikëpyetje që kërkojnë sqarim, veçanërisht mbi mënyrën e kontaktimit, kushtet e bonusit dhe procedurat për mbylljen e llogarisë.
Pretendimet e mësipërme janë të qytetarit dhe mbeten për t’u verifikuar. Redaksia është e gatshme të publikojë qëndrimin dhe sqarimet e Jetbank lidhur me rastin

