Këmbësorët që kalojnë rrugën duke e mbajtur vëmendjen te telefoni mund të përballen së shpejti me një gjobë prej të paktën 75 eurosh në Itali. Masa parashikohet në një projekt të ri të Kodit Rrugor dhe synon të ndëshkojë këmbësorët që shpërqendrohen nga pajisjet elektronike gjatë kalimit të rrugës.
Të ashtuquajturit “smombies”, një kombinim i fjalëve smartphone dhe zombies, që përdoret për njerëzit që ecin të përqendruar te telefoni dhe mezi vërejnë çfarë ndodh rreth tyre mund të gjobiten nëse përdorin telefonin gjatë kalimit të rrugës.
Sipas projektit, gjoba do të jetë të paktën 75 euro dhe do të aplikohet pavarësisht nëse këmbësori po kalon në vijat e bardha apo në një pjesë tjetër të rrugës.
Masa nuk do të kufizohet vetëm te telefonat inteligjentë. Sipas raportimeve të mediave italiane, rregullat e reja do të përfshijnë edhe pajisje të tjera elektronike, si laptopët, tabletët dhe kamerat digjitale, në rast se përdorimi i tyre shpërqendron këmbësorin dhe rrezikon sigurinë.
Në të njëjtën kohë, përdorimi i kufjeve dhe pajisjeve pa duar do të lejohet, për sa kohë që nuk cenon sigurinë dhe personi është në gjendje të dëgjojë mjaftueshëm me të dy veshët
