Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar dokumente, një njësi qendrore kompjuteri dhe shuma të konsiderueshme parash gjatë kontrollit të ushtruar më 30 janar 2026 në ambientet e kompanisë “Pegasus” sh.p.k.
Sipas procesverbalit të sekuestrimit te siguruar nga EPOST dhe të cituar në vendimin gjyqësor, hetuesit kanë marrë 18 kategori sendesh, mes të cilave dokumente të ndryshme, kontrata, fletë formati, zarfe me para dhe një kompjuter të markës HP, që ndodhej në zyrën e administratorit, në katin e dytë të ndërtesës.
Për kompjuterin, menaxherja e logjistikës së kompanisë, Nafize Bello, ka deklaruar se bëhej fjalë për kompjuterin e saj të punës. Procesverbali është nënshkruar pa vërejtje nga ajo, nga Estela Guma dhe nga hetuesit.
Paratë në zarfe me shënime dore
Një nga elementet e dokumentuara në procesverbal janë shumat monetare të gjetura në zarfe të veçanta.
Në një zarf me format A4, me shënimin me shkrim dore “4,5 J. 27.01.2026 -1”, janë gjetur 3.5 milionë lekë. Sipas deklarimit të Nafize Bellos, këto para i ishin lënë për ruajtje nga një person, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur në fragmentin e paraqitur.
Në një tjetër zarf të vogël, me shënimin “Jani”, janë gjetur 500 mijë lekë.
Ndërsa në një zarf tjetër, me shënimin “5000 € 20.01.2026 Jani 7720 € – 2720 dhashë Janit”, janë gjetur 5 mijë euro, të ndara në kartëmonedha me prerje 50, 100 dhe 200 euro.
Paratë e arkës së kompanisë
Procesverbali përfshin edhe një shumë parash të deklaruara si të arkës së shoqërisë “Pegasus”. Fillimisht, shuma ishte regjistruar në vlerën 936 mijë lekë, por një procesverbal i datës 4 shkurt 2026 korrigjoi shifrën.
Sipas këtij dokumenti, 11 kartëmonedhat me prerje 1 mijë lekë përbënin 11 mijë lekë dhe jo 110 mijë lekë. Për rrjedhojë, shuma totale e kësaj kategorie u korrigjua nga 936 mijë në 837 mijë lekë.
Sipas sqarimeve të Nafize Bellos, këto para ishin arkëtime nga klientët që furnizoheshin pranë kompanisë.
Dokumentet e cituara evidentojnë sekuestrimin e parave dhe sendeve gjatë kontrollit, por nuk përcaktojnë vetvetiu origjinën e paligjshme të shumave monetare. Për të përcaktuar lidhjen e tyre me hetimin, nevojitet edhe pjesa e vendimit ku shpjegohen dyshimet e SPAK dhe arsyetimi i gjykatës.
