Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka inspektuar masat e shtuara të Policisë Rrugore në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, një prej nyjeve më problematike për qarkullimin e automjeteve në kryeqytet.
Gjatë inspektimit, Demo kërkoi angazhim më të madh të strukturave të Policisë për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, veçanërisht në oraret e vajtjes në punë dhe në shkolla, si dhe për të garantuar sigurinë rrugore.
Ai theksoi se dëmtimi i semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit ka sjellë vështirësi të shtuara në qarkullim, duke kërkuar që masat e Policisë Rrugore të përqendrohen në minimizimin e kohës që qytetarët humbasin në trafik.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te “21-shi”, i cili është një nga nyjet më problematike që kemi”.
Sipas tij, masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi.
Një vëmendje të veçantë ministri kërkoi edhe për parkimet dyshe dhe shkeljet e tjera të Kodit Rrugor që pengojnë lëvizjen e automjeteve.
Ai theksoi se masat e shtuara duhet të vijojnë, ndërsa në fund të javës do të bëhet një vlerësim i efektivitetit të tyre, veçanërisht sa i përket kohës së pritjes në trafik.
“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, për sa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet”.
“Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë”, theksoi ministri.
Në përfundim, Demo kërkoi vijimin e masave nga Policia Rrugore dhe një tjetër vlerësim të situatës në fillim të javës së ardhshme, për të përcaktuar nëse do të nevojiten ndërhyrje shtesë për përmirësimin e qarkullimit në kryeqytet.
