Arlind Qori dhe Lëvizja Bashkë, që ai drejton, janë përpjekur në vazhdimësi të marrin protagonizmin e protestave të fundit studentore, duke synuar ta shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në kapital politik.
Pavarësisht mbështetjes së kufizuar elektorale, Qori është përpjekur të luajë një rol politik që tejkalon peshën e tij në skenën politike shqiptare.
Me idetë e tij marksiste dhe qëndrimet kundër klasës së vjetër politike dhe sipërmarrjes, ai ka synuar vazhdimisht të shfrytëzojë pakënaqësitë e qytetarëve ndaj pushtetit dhe t’i kanalizojë ato në mbështetje elektorale.
Megjithatë, përtej mbështetjes elektorale dhe votës popullore, duket se një nga objektivat e tij, gjatë gjithë periudhës së aktivizmit civil dhe më pas atij politik, ka qenë përçarja e opozitës, duke favorizuar në këtë mënyrë pushtetin.
Në muajt e fundit, mbështetës të Lëvizjes Bashkë janë përfshirë në debate dhe përplasje me përfaqësues të opozitës, duke kundërshtuar pjesëmarrjen e partive kryesore opozitare në protesta.
Qëndrime të tilla kanë ndikuar në forcimin e narrativës së qeverisë, sipas së cilës opozita nuk është e mirëpritur nga protestuesit.
Jo rastësisht, edhe kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij për buxhetin në Kuvend, iu referua këtij argumenti, duke theksuar se refuzimi i qeverisë nga protestuesit është i kuptueshëm, ndërsa refuzimi i opozitës është, sipas tij, anormal.
Natyrisht që për të ngritur këtë narrativë qeverisë i ka shërbyer Arlind Qori dhe Lëvizja Bashkë, të cilët në vazhdimësi kanë hedhur thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, pra duke hequr një shenjë barazimi mes qeverise dhe opozitës.
Kjo qasje i shërben politikisht pushtetit, pasi relativizon përgjegjësitë e qeverisë dhe dobëson frontin opozitar.
Por akuzat për rolin e Qorit në raport me protestat nuk janë të reja.
Edhe gjatë protestave të mëdha studentore të vitit 2018 pati kritika dhe pretendime se Arlind Qori dhe Organizata Politike, të cilën ai drejtonte në atë kohë, u përpoqën të ndikonin në organizimin e lëvizjes studentore dhe të përçanin të rinjtë që kishin dalë në shesh.
Madje raportime të kohës theksojnë se Organizata Politike e Arlind Qorit ishte një lëvizje në duart e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Pretendime këto që nuk janë pa baza, pasi mes Qorit dhe kryebashkiakut Veliaj rezulton të ketë patur një lidhje më të hershme.
Siç dihet, Erion Veliaj, së bashku me disa eksponentë të tjerë, krijoi Lëvizjen MJAFT, e cila pati një rol aktiv në shoqërinë shqiptare përpara se një pjesë e drejtuesve dhe aktivistëve të saj të angazhoheshin drejtpërdrejt në politikë.
Megjithatë, pavarësisht shkëputjes formale të disa prej themeluesve dhe drejtuesve nga MJAFT-i, ata vijuan të ruanin ndikimin mbi organizatën, edhe pse pesha e saj publike ishte zbehur ndjeshëm.
Pikërisht në këtë periudhë, sipas materialeve dhe raportimeve të kohës, në aktivitetet e kësaj lëvizjeje shfaqet edhe Arlind Qori.
Vetë Qori i ka mohuar lidhjet me MJAFT-in dhe Erion Veliajn. Në një intervistë të dhënë disa vite më parë, ai është shprehur: “Mua me MJAFT-in dhe Veliajn nuk më lidh asgjë, përveç përçmimit. Nuk kam qenë kurrë në MJAFT”.
Megjithatë, një kronikë televizive e transmetuar në fund të periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike duket se hedh dritë mbi këtë çështje. Në pamjet filmike, Qori shfaqet në krah të disa eksponentëve të MJAFT-it, gjatë një proteste të zhvilluar përpara Ministrisë së Jashtme kundër vizitës së zëvendësministrit të Jashtëm të Izraelit.
Në pamje Arlind Qori shihet përkrah Leart Kolës dhe Arbër Zaimit, dy eksponentë të MJAFT-it të kohës dhe dy nga njerëzit e afërt të Erion Veliajt.

Leart Kola ka qenë një nga njerëzit e besuar të Veliajt edhe në Bashkinë e Tiranës. Ai ka mbajtur pozicione drejtuese në bashki dhe e shoqëronte shpesh Veliajn në udhëtimet jashtë vendit.

Kjo prani në një aktivitet të organizuar nga MJAFT ngre pikëpyetje mbi angazhimin e tij të hershëm dhe marrëdhëniet me eksponentët e kësaj organizate.
Dyshimet për afërsinë politike të Qorit me pushtetin ushqehen edhe nga qëndrimet që ai ka mbajtur në zhvillimet politike të viteve të fundit.

Kështu, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, Qori refuzoi në mënyrë kategorike përfshirjen në një koalicion me partitë e tjera të reja politike. Një vendim i tillë u kritikua nga kundërshtarët e tij, të cilët e interpretuan si një faktor që kontribuoi në fragmentimin e votës opozitare dhe, për rrjedhojë, favorizoi qeverinë.
Edhe në zhvillimet e fundit politike, Qori është ndër zërat që nuk kanë shprehur publikisht gatishmëri për t’iu bashkuar një fronti të përbashkët opozitar, me synimin për të dalë me kandidatë të unifikuar në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Të gjitha këto qëndrime dhe episodet e së kaluarës ngrenë dyshime mbi rolin e Arlind Qorit, marrëdhëniet e tij të hershme me eksponentët e MJAFT-it dhe strategjinë e Lëvizjes Bashkë si një “zjarrfikëse” e revoltave në vend
