Zbardhja e komunikimeve të Ergys Agasit me dy shtetas izraelitë i jep një tjetër dimension dosjes hetimore të SPAK-ut, duke nxjerrë në pah lidhje që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.
Mes emrave që shfaqen në komunikimet e zbardhura është edhe Srulik Einhorn, strategu izraelit i komunikimit politik, i njohur për angazhimin e tij në fushatat e Benjamin Netanyahut dhe për lidhjet e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Sipas materialeve të bëra publike nga vendimi i GJKKO-së, Agasi ka komunikuar me Einhorn, si dhe me një shtetas tjetër izraelit, të identifikuar si Shalev I. Në njërën prej bisedave, Agasi i shkruan bashkëbiseduesit se kishte marrëdhënie të afërt me drejtuesen e atëhershme të SHISH-it, Vlora Hyseni, duke u shprehur: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Në një tjetër komunikim me Einhorn, Agasi flet për mundësinë që drejtuesja e shërbimit sekret të ndërhynte personalisht në një çështje që lidhej me hetimet ndaj tij, duke pretenduar se ajo do të paraqiste prova kundër prokurorit.
Por ajo që e bën këtë komunikim edhe më interesant është profili i personit me të cilin Agasi kishte kontakt. Einhorn nuk është një emër i panjohur në qarqet politike ndërkombëtare. Ai është përmendur në hetimet izraelite që lidhen me aferën “Katargate” dhe çështjen e dokumenteve sekrete, ndërsa autoritetet izraelite e kërkojnë për t’u marrë në pyetje dhe për procedurat që lidhen me këto hetime.
Sipas arsyetimit të GJKKO-së, komunikimet e Agasit me dy shtetasit izraelitë janë një prej elementeve që kanë ngritur dyshime për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar, i cili mund të vihej në funksion të interesave të grupit kriminal dhe të siguronte kanale largimi apo fshehjeje jashtë kontrollit të autoriteteve shqiptare.
Këtu lindin disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje: Çfarë marrëdhënieje kishte Ergys Agasi me strategun izraelit? Për çfarë komunikonin konkretisht? A ishin këto kontakte thjesht personale apo kishin një funksion tjetër?
Për momentin, përmbajtja e plotë e marrëdhënies mes tyre nuk është bërë publike. Por fakti që emri i një strategu politik ndërkombëtar, me lidhje në qarqet e pushtetit në Serbi dhe Izrael, shfaqet në komunikimet e një biznesmeni të përfshirë në një prej dosjeve më të ndjeshme të SPAK-ut, e zgjeron ndjeshëm hartën e kontakteve që po shqyrtohen nga drejtësia shqiptare.
