Klodian Petani, i cili për disa muaj ka shërbyer si Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Himarë, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve lidhur me periudhën e punës dhe kontrollet e kryera në territor.
Në deklarimet e tij, Petani ka sqaruar se qëndrimi në detyrë në Himarë ka qenë relativisht i shkurtër dhe, për këtë arsye, sipas tij, nuk ka pasur mundësi të kontrollonte në mënyrë të plotë të gjithë territorin e kësaj njësie.
Ai ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe ka ndërmarrë disa kontrolle territori me iniciativën e tij dhe se, vetëm gjatë muajve maj–qershor 2026, kujton të ketë kryer rreth 15 referime për ndërtime të dyshuara pa leje.
Sipas Petanit, në kuadër të këtyre veprimeve janë proceduar dy objekte banimi në Qeparo, ndërsa raste të tjera janë evidentuar në Himarë, Vuno dhe Livadh.
Por deklarimi i tij nuk ndalet vetëm te aktiviteti policor. Petani ka ngritur edhe një pretendim lidhur me largimin e tij nga zona, duke shprehur bindjen se veprimet e ndërmarra ndaj ndërtimeve të dyshuara pa leje mund të kenë qenë një prej arsyeve që kanë ndikuar në këtë zhvillim.
Sipas tij, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, mund të ketë kërkuar largimin e tij nga zona pikërisht për shkak të procedimeve që ai pretendon se ka kryer gjatë kohës që mbulonte territorin e Himarës.
Këto janë deklarime të Petanit para hetuesve dhe përbëjnë versionin e tij mbi rrethanat e punës dhe largimit nga detyra në Himarë.
