Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 49-vjeçarin Ylli Zalla, i arrestuar pak ditë më parë në zonën e Fushë-Krujës për armëmbajtje pa leje.
Para gjykatës, Zalla ka mohuar akuzën dhe çdo përfshirje në vrasjen e Gilmando Danit dhe Muçi Shalianit në Rinas. 49-vjeçari ka deklaruar se është përmendur padrejtësisht në lidhje me ngjarjen.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen e Rinasit, jam përgojuar kot”, ka deklaruar Zalla gjatë seancës.
Ai ka mohuar gjithashtu pronësinë mbi armët e sekuestruara, duke pretenduar se ato janë gjetur në një ish-repart ushtarak.
“Armët s’janë të miat, janë gjetur te ish-reparti ushtarak”, mësohet të ketë thënë 49-vjeçari.
Zalla u arrestua të hënën gjatë një operacioni policor në fshatin Zallë, pas rreth 11 muajsh në kërkim. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Emri i 49-vjeçarit është përmendur në raportime mediatike lidhur me ngjarjen e rëndë në Rinas, por Policia e Shtetit, në njoftimin zyrtar për arrestimin, e akuzon vetëm për armëmbajtje pa leje.
