Teksa temperaturat e larta përvëlojnë, të gjithëve ju shkon mendja për një pije freskuese. Ndërkohë që në “trend” janë shndërruar çajrat pluhur me origjinë aziatike, që shërbehen masivisht në rrjetet e lokaleve me emër në Shqipëri, por edhe që shiten të paketuara në markete.
Por, sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar për çaj Matcha me origjinë nga Japonia, që ka rezultuar me pesticide mbi normat e lejuara. Konkretisht tri pesticide, por njëri i konsideruar më i rrezikshëm, siç është Lufenuron.Sipas RASFF, nga analizat e kryera në çajin japonez “Matcha”, ka rezultuar; Pesticidi Tebuconazole, 0,15 mg/kg – ppm nga 0,05 mg/kg – ppm që është normalja e lejuar; Pesticidi Flonicamid , 0,70 mg/kg – ppm nga 0,10 mg/kg – ppm që është limiti i lejuar; Pesticidi Lufenuron, 0,16 mg/kg – ppm nga 0,050 mg/kg – ppm që është limiti i lejuar.
Çaji Matcha tregtohet dhe konsumohet masivisht në rrjetet e lokaleve në Tiranë e gjithë Shqipërinë, si dhe mund të blihet i paketuar në formë pluhuri në supermarkete. Alerti fillestar ka mbërritur nga Gjermania pas analizave të produkteve e më pas, nëpërmjet sisitemit të gjurmueshmërisë, RASFF ka përfshirë si vende me “alert” për ndjekje dhe Shqipërinë, Poloninë dhe Zvicrën. Kjo, pasi produkti është shpërndarë dhe gjendet në tregjet e këtyre vendeve.
