Mbledhja me dyer të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me disa kryebashkiakë të vendit në Kuç të Vlorës është shoqëruar me përplasje.
Mësohet se kryeministri ka debatuar me kryebashkiakun e Divjakës, Josif Gorrea, të Dimalit, Juliana Memaj dhe atë të Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Takimi raportohet se ka nisur me rastin e Bashkinë e Poliçanit. Gjatë mbledhjes, Rama i është drejtuar Zotkajt duke i thënë se nuk duhej të ishte pjesë e takimit, pasi kishte kryer një “akt të paturpshëm” duke djegur teserën e PS-së.
“Ju nuk duhet të jeni në takim sepse bëtë aktin e paturpshëm dhe dogjet teserën e PS”, raportohet t’i jetë drejtuar kryeministri kryetarit të bashkisë së Poliçanit që sipas propozimit socialist, do të shkrihet me Beratin.
Nga ana tjetër, Zotkaj i është përgjigjur kryeministrit duke i thënë se akt paturpërsie ka bërë ai dhe PS duke shkrirë një bashki që e ka votuar.
“Nëse ka një akt paturpësie është ajo që keni bërë ju dhe PS që shkrini një bashki që ju ka votuar për 25 vjet”, i ka replikuar Zotkaj.
