Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rodopinë në Greqi, ku një grua 44-vjeçare, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pasi dyshohet se u sulmua me thikë nga bashkëshorti i saj.
Pas krimit, burri dyshohet se tentoi t’i japë fund jetës.
Sipas informacioneve të para nga mediat greke, çifti kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve janë madhorë dhe një 16-vjeçar.
Vajza e madhe e familjes raportohet se ka njoftuar autoritetet për ngjarjen. Gruaja u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Bashkëshorti, për të cilin mediat greke japin mosha të ndryshme në raportimet fillestare, është dërguar në spital dhe ndodhet nën mbikëqyrjen e policisë.
Sipas disa burimeve, ai ka konsumuar naftë në përpjekje për t’i dhënë fund jetës, ndërsa raportohet gjithashtu se është vetëplagosur me thikë.
Mediat greke raportojnë se mes çiftit kishte pasur më herët episode të dhunës në familje. Në fillim të vitit 2022, gjatë kohës që familja jetonte në Heraklion të Kretës, gruaja kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit për kërcënim.
Burri ishte arrestuar në atë kohë për dhunë në familje dhe ishte dërguar përpara autoriteteve kompetente.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar dinamikën e krimit. Rasti po hetohet si një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje që ka përfunduar në vrasjen e një gruaje.
