Një tender i zhvilluar nga Bashkia Shkodër, nën drejtimin e kryetarit Benet Beci, ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përcaktuar kriteret teknike dhe është zhvilluar konkurrenca për blerjen e një automjeti me vlerë rreth 70 mijë euro.
Procedura ka pasur një fond limit prej 6.5 milionë lekësh, ndërsa në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë: Albania Motor Company, Autoelite, Arteo 2018 dhe Porsche Albania.
Në përfundim, fitues është shpallur Albania Motor Company, me një ofertë prej 6.4 milionë lekësh, pra vetëm 100 mijë lekë më pak se fondi limit i përcaktuar nga bashkia.
Ajo që e bën procedurën veçanërisht të debatueshme janë skualifikimet e operatorëve të tjerë, përfshirë kompani që kishin paraqitur oferta më të ulëta.
Në rastin e Autoelite, skualifikimi lidhet me një kërkesë të specifikimeve teknike, ku përcaktohej se “sistemi i drejtimit kërkohet elektrik, jo kremalier me ndihmës hidraulik”.
Ndërkohë, Porsche Albania është skualifikuar pasi, sipas dokumentacionit të procedurës, nuk plotësonte kriterin e Kreut V, pika 1, ku kërkohej “ajër i kondicionuar në dy zona kontrolli”.
Këto kritere ngrejnë pikëpyetje mbi proporcionalitetin e kërkesave teknike dhe nëse ato kanë qenë realisht të domosdoshme për nevojën e bashkisë apo kanë krijuar barriera për operatorë të caktuar.
Një tjetër element që kërkon vëmendje është fakti se procedura është sinjalizuar me “Flamur të Kuq”, ndërsa në të njëjtën kohë janë skualifikuar operatorët konkurrues dhe është kualifikuar vetëm ofertuesi që përfundimisht u shpall fitues.
Në këto kushte, kombinimi i tre elementëve – oferta fituese shumë pranë fondit limit, skualifikimi i ofertave konkurruese dhe kriteret teknike që shërbyen si bazë për eliminimin e tyre – krijon pikëpyetje legjitime mbi nivelin e konkurrencës reale në këtë procedurë.
Por çështja merr një tjetër dimension për shkak të situatës ligjore që lidhet me vetë kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci.
Beci është i pandehur në një çështje të hetuar nga SPAK, e cila lidhet me periudhën kur ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sipas akuzave të ngritura nga organi i posaçëm, bëhet fjalë ndër të tjera për shkelje të barazisë në tendera. Çështja është dërguar për gjykim në GJKKO.
Kjo nuk do të thotë se tenderi i Bashkisë Shkodër është i paligjshëm apo se Beci ka kryer një shkelje në këtë procedurë. Për këtë nevojitet verifikim i plotë i dokumentacionit dhe, nëse ka pretendime konkrete për shkelje, vlerësimi i institucioneve kompetente.
Megjithatë, duke parë paralelisht flamurin e kuq të procedurës, mënyrën e skualifikimit të operatorëve dhe diferencën minimale mes fondit limit dhe ofertës fituese, tenderi meriton një verifikim të posaçëm mbi kriteret teknike, arsyet e skualifikimeve dhe nivelin real të konkurrencës.Kliknews
