Tre anëtarë të së njëjtës familje nga Rumania, babai, nëna dhe vëllai, janë shoqëruar nga policia pasi tentuan të fusnin sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale për Gratë në Pojskë të Pogradecit.
Ngjarja është zbuluar një ditë më parë, kur familjarët kishin shkuar për të vizituar të afërmen e tyre, e cila ndodhet në burg duke vuajtur dënimin për veprën penale të mashtrimit.
Gjatë kontrollit të sendeve dhe çantave me rroba që familjarët kishin sjellë për të dënuarën, punonjësit e institucionit kanë konstatuar se brenda tyre ishin fshehur një thikë dhe një telefon celular, sende që ndalohet të futen në ambientet e burgut.
Familja rumune kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë përpara ngjarjes dhe kishte udhëtuar drejt Pogradecit për të takuar të afërmen e tyre.
Pas zbulimit të sendeve të ndaluara, grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e rastit dhe veçanërisht arsyen se përse ishte futur thika në rrobat e të dënuarës.
Sipas të dhënave paraprake, e dënuara nuk ka pasur konflikte me gratë e tjera që vuajnë dënimin në këtë institucion.
Pas ngjarjes është ushtruar kontroll edhe në qelinë e të dënuarës, por nuk është gjetur asnjë send tjetër i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.
