Policia e Lezhës prangosi një 41-vjeçar që lëvizte me automjet të blinduar dhe i armatosur. Arben Mhillaj u arrestua në fshatin Malecaj, në Lezhë, pas disa minutash ndjekjeje, për shkak se, në momentin që u pikas nga policia, nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, duke u larguar me shpejtësi. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi i arrestuar, Arben Mhillaj, është vëllai i shtetasit në kërkim Florin Mhillaj, 36 vjeç, i dyshuar për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në rrugën “Balldren-Torovicë”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy personave, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Bëhet fjalë për atentatin mafioz ndaj Kreshnik Mujecit dhe bashkëshortes së tij. Dy bashkëshortët, prindër të 4 fëmijëve, u qëlluan për vdekje teksa udhëtonin për në shtëpinë e tyre. Dyshohet se çifti Mujeci u vra për motive gjakmarrjeje.
