“Na thavi, krahin!” Këto kanë qenë fjalët e para që Lazër Bashi ka thënë në telefon, pak pasi arriti të shpëtojë nga atentati ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u vranë me armë zjarri.
Bashi, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje, ndodhej rastësisht në pjesën e pasme të fuoristradës bashkë me dy viktimat. Autorët kanë qëlluar me dy armë të ndryshme, duke zbrazur më shumë se 50 plumba në drejtim të automjetit.
Në momentin e sulmit, Bashi është shtrirë në pjesën e pasme të fuoristradës. Një plumb e ka kapur në shpatull, ndërsa ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta, deri sa autorët janë larguar.
Automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë. Pasi ka pritur derisa situata është qetësuar, Bashi ka arritur të dalë nga fuoristrada dhe ka marrë me vete edhe celularin.
Por në zonën ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik. I plagosur dhe duke humbur gjak, ai është detyruar të largohet në këmbë.
Për rreth 40 minuta, Bashi ka përshkuar afro 2 kilometra, derisa ka mbërritur pranë një lokali, pas kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.
Sapo ka gjetur sinjal, ka telefonuar një të afërm. Fjalët e para të tij kanë qenë: “Na thavi, krahin”.
Më pas, ai ka treguar se ndodhej rastësisht në të njëjtën fuoristradë me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se babë e bir kishin mbetur të vrarë në vend.
Bashi ka larë gjakun që i rridhte nga plaga në një çezmë pranë lokalit dhe ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Burime bëjnë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autorët e vrasjes së dyfishtë ende nuk janë identifikuar. Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por deri tani nuk ka një rezultat konkret që të çojë te autorët.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, mes tyre divorcin e Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë, si dhe një konflikt të ndodhur disa vite më parë.
Prelë dhe Lekë Gjoni u zunë në pritë në rrugën e Xhanit, teksa po ktheheshin nga banesa e vjetër në Dukagjin, ku mbanin disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës.
Sipas të dhënave të deritanishme, ndaj fuoristradës është qëlluar me një automatik kallashnikov dhe një MP5, ndërsa babë e bir kanë humbur jetën në vend.
Lekë Gjoni dyshohet se ka qenë objektivi kryesor i atentatit. Ai punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi, si dhe me eskavator në zonën e Dukagjinit.
Familjarët kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti të tij dhe se ai nuk njihej si person problematik.
Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.
Terreni i vështirë malor dhe mungesa e kamerave të sigurisë në zonë e bëjnë edhe më të vështirë punën e hetuesve për të rindërtuar lëvizjet e autorëve pas atentatit.
