Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ish-drejtorit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, e cila kishte denoncuar tek autoritetet amerikane mbi aktivitetet e tij, është gjetur e vdekur.
Guerriero kishte folur publikisht për lidhjet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama dhe udhetimet e ish-drejtorit të FBI në Shqipëri.
Vdekja e Allison Guerrieros ka rikthyer në vëmendje një prej episodeve më të bujshme të dosjes McGonigal, ish-zyrtarit të kundërzbulimit të FBI-së, i cili u dënua në SHBA për vepra penale që lidhen me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe fshehjen e pagesave që kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Por emri i Guerrieros është i rëndësishëm edhe për Shqipërinë.
Ajo kishte qenë në një lidhje me McGonigalin dhe më pas u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacion mbi aktivitetet e tij. Ajo ka denoncuar edhe marrëdhënien e ish-partnerit të saj me kryeministrin Edi Rama.
‘Ai po shkonte në Shqipëri për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama’, kishte deklaruar ajo, duke shtuar se nuk i ishte treguar qëllimi i saktë i takimit.
Ajo deklaroi gjithashtu se McGonigal dhe Rama kishin një marrëdhënie personale dhe se ish-zyrtari i FBI-së fliste shpesh për kryeministrin shqiptar.
Guerriero u kishte thënë hetuesve amerikanë edhe për udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me Ramën.
Këto deklarata morën rëndësi të veçantë pas publikimit të aktakuzës amerikane ndaj McGonigal, ku emri i Edi Ramës përmendej në disa pika të dokumentit.
