Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar njoftimin zyrtar mbi masat e sigurisë, të caktuara ndaj drejtueses së Shërbimi Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni dhe për kontrollin e banesës së Ilir Prodës, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Ndaj drejtueses së SHISH, Gjykata ka miratuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale, konkretisht për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Megjithatë, ekzekutimi i masave të sigurisë nuk është realizuar pasi drejtuesja e SHISH nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri.
Në kuadër të hetimit, janë dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” edhe për dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për shefin e laboratorit shkencor të policisë në Tiranë, Fatjon Kalluci dhe pronarin e një biznesi në Durrës. Po ashtu, janë kryer kontrolle dhe në banesat e tyre.
Nga hetimet pararake, Prokuroria pretendon se ata mund ta kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmanget arrestimit të policisë për një kohë të gjatë.
