Bashkia e Shkodrës vijon të shfaqë një model të përsëritur shkeljesh në prokurimet publike, duke shpenzuar qindra miliona lekë për blerjen e automjeteve, ku fituesi i tenderëve është pothuajse gjithmonë i njëjti operator ekonomik. Më 16 shtator 2026, kjo bashki ka realizuar një tender me vlerë 117 mijë euro (rreth 10.680.000 lekë) për blerjen e automjeteve elektrike. Fondi limit i përcaktuar ka qenë 11.000.000 lekë, ndërsa kompania fituese, Albania Motor Company, ka ofruar 10.680.000 lekë. Megjithatë, kompania tjetër pjesëmarrëse, Arteo 2018, ka dhënë ofertën më të ulët prej 10.600.000 lekësh, por është skualifikuar nga gara me pretendimin se nuk kishte dokumentacionin e rregullt.

Ky skualifikim ka ngritur dyshime të forta mbi transparencën e procesit, pasi duket se kriteret e përdorura nga bashkia kanë shërbyer si justifikim për të eliminuar ofertuesin më të leverdisshëm dhe për të favorizuar kompaninë e përzgjedhur nga kryebashkiaku Benet Beci.


Dyshimet për një tender të paracaktuar forcohen edhe më shumë nga fakti se Bashkia Shkodër, në mënyrë të përsëritur, shpall fituese të tenderëve për automjete pikërisht Albania Motor Company, pavarësisht se kjo kompani gjatë gjithë kohës ka ofruar çmimet më të larta krahasuar me konkurrentët.

Vetëm pak kohë më parë, Kliknews.al publikoi një rast tjetër ku Bashkia Shkodër i dha të njëjtës kompani një tender për blerjen e një automjeti fuoristradë. Edhe në atë procedurë, Albania Motor Company u shpall fituese me ofertën më të lartë, ndërsa operatorët e tjerë që kishin dhënë oferta më të ulëta u skualifikuan me argumente të dyshimta. Ky model i përsëritur i shpalljes fituese të të njëjtës kompani, pavarësisht ofertave më të favorshme nga konkurrentët, tregon qartë mungesë transparence dhe krijon dyshime të forta për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Ky rast është një shembull tipik i mënyrës se si prokurimet publike mund të përdoren për të favorizuar operatorë të caktuar, duke eliminuar konkurrencën reale dhe duke dëmtuar interesin publik. Transparenca e munguar dhe përsëritja e të njëjtit skenar e bëjnë të domosdoshëm një hetim të plotë nga institucionet përgjegjëse për të zbuluar nëse Bashkia Shkodër po përdor fondet publike në mënyrë të paligjshme dhe të paracaktuar.
Ky rast merr edhe më shumë rëndësi duke pasur parasysh se Benet Beci akuzohet pikërisht për shkelje të barazisë në tendera, gjatë kohës që ai ka qenë drejtur i Korporatës Elektro Energjitike Shqiptare (KESH). Gjetjet janë faktuar nga SPAK ndërsa dosja e tij tashmë ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kjo e lidh drejtpërdrejt tenderin e automjetit me një model më të gjerë të abuzimit me prokurimet publike dhe mungesës së transparencës në administrimin vendor.
