Një kontroll i SPAK në burgun e Bradasheshit zbuloi se në qelinë e Ergys Agasit kishte pije alkoolike. Kuptohet, nga ato të zgjedhurat që zakonisht ka Agasi në kantinën e tij, si vera Romane Conti që ndante me kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit, siç denonconte ish -kryeministri Arben Ahmetaj.
Pije apo sende të tjera të paligjshme SPAK mund të gjejë në çdo qeli, në të gjitha burgjet e Shqipërisë. Aty ka telefona, thika, leva madje edhe armë, siç tregoi vrasja e Arben Lleshit nga Sokol Mjacajt në dhjetor të vitit 2023, në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.
Një foto e publikuar në qershor të këtij vit tregonte një qeli si hotel me 5 yje në burgun e Fierit.
Një tjetër video e filmuar në oborrin e burgut të Peqinit tregonte një personazh femër “VIP” që po dilte nga qelia e një bosi të njohur të krimit, pasi kishte pasur një takim special me të.
Disa vajza të njohura të ekranit dhe showbizit po ashtu u zbulua se frekuentonin një prej kriminelëve më të rrezikshëm të zonës së veriut, si dhe të tjerë personazhe të njohur të krimit në burgjet e Reçit, Fierit, Peqinit, Drenovës e Fushë-Krujës.
Kështu, të burgosurve “VIP” nuk u mungon thuajse asgjë në qelitë e tyre, veç lirisë për të dalë jashtë rrethimit. Kanë ushim të zgjedhur, dhoma si hotele luksoze, kontakte të pandërprera me botën jashtë dhe vazhdojnë të ruajnë “bizneset dhe reputacionin” e tyre jashtë. Nga aty japin urdhra për vrasje, drejtojnë trafikun e drogës dhe mbyllin pazare për leje ndërtimi apo emërime në administratë. Madje, koordinojnë edhe votat për zgjedhjet e radhës. Për ta, burgu është thjesht një strehë e sigurt.
Erion Veliaj për shembull, bën kryetarin e Bashkisë nga burgu, duke firmos emërime e shkarkime.
Fundja, peshku qelbet nga koka. Burgjet janë thjesht pasqyra e këtij realiteti, me diferencën që dy botët i ndajnë vetëm ca mure e tela me gjëmba. Asnjë reformë nuk bën punë kur qelia funksionon si zyrë private për miqtë e pushtetit që kanë rënë brenda o nga përgjimet e të huajve o ngaqë e kanë bërë aq baltë sa ka qenë e pamundur që prokuroria të mbyllte sytë. Dhe situata nuk ka asnjë shans të ndryshojë, për aq kohë sa kohë kriminelët brenda drejtojnë trafiqet që sjellin milionat që pastrohen në ndërtim e turizëm dhe do të kenë në xhep vota për ata që qeverisin jashtë;Zoom.al
