Një 42-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Itali, pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve, teksa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Viktima është Lavdije Isteri, nënë e tre fëmijëve, e cila prej vitesh jetonte në Passarella di San Donà di Piave me familjen e saj.
Ngjarja ndodhi pak para orës 08:00 në rrugën “Paolo VI”. 42-vjeçarja po kalonte në vijat e bardha kur u godit nga kamioni i kompanisë Alisea, që operon për Veritas.
Sipas rindërtimit paraprak, kamioni po kryente një kthesë djathtas me shpejtësi të ulët dhe gruaja ndodhej në zonën e “pikës së verbër” të mjetit. Shoferi 59-vjeçar nuk e kishte parë, ndërsa as punonjësi që ndodhej në pjesën e pasme të kamionit nuk e kishte kuptuar përplasjen.
Në momentin e aksidentit, vajza 9-vjeçare ndodhej disa metra përpara nënës dhe kishte kaluar rrugën. Ajo nuk pësoi dëmtime dhe u shoqërua nga mësuesit në ambientet e shkollës.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ekipet e urgjencës dhe Policia Bashkiake. Isteri kishte mbetur e bllokuar poshtë kamionit dhe për nxjerrjen e saj u përdor një autovinç. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta reanimuar, 42-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.
Dy fëmijët e tjerë të viktimës, 20 dhe 18 vjeç, mbërritën në vendngjarje pas lajmit për aksidentin. Të tre fëmijët morën ndihmë mjekësore dhe mbështetje psikologjike.
Kamioni është sekuestruar, ndërsa Policia Bashkiake e San Donà di Piave po heton për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e plotë të aksidentit.
Lavdije Isteri ishte e njohur në komunitetin e Passarellas. Një banor që e njihte e përshkroi si një grua të rezervuar dhe gjithmonë të buzëqeshur, e dashur nga komuniteti.
Në vendngjarje ishte edhe kryetari i bashkisë, Alberto Teso, ndërsa autoritetet vendore dhe kompania Veritas shprehën ngushëllimet për familjen.
