Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar 6 vite burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në çështjen penale që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. Për të akuzuarit e tjerë janë kërkuar dënime nga 9 muaj deri në 3 vite burgim.
Pas paraqitjes së fjalës përfundimtare nga kryeprokurorja Kimberly West dhe prokurori i çështjes, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar shpalljen fajtorë të të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin e pengimit të drejtësisë.
Për Hashim Thaçin, Prokuroria ka kërkuar 6 vite burgim, ndërsa për të akuzuarit e tjerë ka propozuar këto dënime: 9 muaj burgim për Isni Kilajn, 3 vite për Bashkim Smakajn, 3 vite për Haxhi Shalën dhe 3 vite për Sabit Januzin.
Sipas Prokurorisë, dënimet duhet të përcaktohen duke marrë në konsideratë peshën e veprave penale dhe tërësinë e rrethanave që lidhen me çështjen.
“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, deklaroi Prokuroria.
Prokuroria kërkoi gjithashtu që dënimi i Thaçit të vuhet në vijim të çdo dënimi që mund të shqiptohet ndaj tij në çështjen tjetër gjyqësore, nëse një dënim i tillë do të jepet.
Prokuroria: Ndërhyrja në drejtësi paraqet kërcënim
Gjatë fjalës përfundimtare, Prokuroria argumentoi se akuzat e ngritura ndaj të pandehurve dhe ato që, sipas saj, janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm, përbëjnë vepra penale që cenojnë administrimin e drejtë të drejtësisë.
“Janë krime për një arsye të qartë: përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë, pikërisht për shkak të së kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë, paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, deklaroi Prokuroria.
Tashmë pritet që procesi gjyqësor të vijojë me shqyrtimin e argumenteve përfundimtare të palëve, përpara se gjykata të marrë vendimin për çështjen.
