Arrestimi i bujshëm i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka sjellë vetëm përplasje të forta politike e institucionale rreth çështjes së tij, por ka ngritur edhe pikëpyetje mbi funksionimin e Bashkisë së Tiranës, institucioni që administron shërbimet për qindra mijëra banorë të kryeqytetit.
Prej nisjes së paraburgimit të tij, Veliaj dhe mbështetësit e tij politikë e mediatikë kanë zhvilluar një betejë të vazhdueshme përballë drejtësisë, ndërsa avokatët e tij kanë kundërshtuar masat e vendosura nga gjykatat.
Tashmë, pak ditë përpara datës 15 shtator, kur Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekursin për masën e sigurisë, pas zhvillimeve të lidhura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, një tjetër front është hapur në Bashkinë e Tiranës.
Bëhet fjalë për një seri ndryshimesh në strukturën drejtuese të bashkisë, të ndërmarra në harkun e pak ditëve.
28 gusht – Erion Veliaj shkarkon nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
1 shtator – Jep dorëheqjen Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Eldi Hoxha.
Po më 1 shtator – Alban Dokushi rikthehet në një detyrë të besuar në administratën e bashkisë.
2 shtator – Veliaj shkarkon nga detyra nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj.
Të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur ndërkohë që kryebashkiaku ndodhet në paraburgim.
Kjo situatë ngre një tjetër pikëpyetje: deri ku shkon kompetenca e një kryetari bashkie që ndodhet në qeli dhe sa ndikim mund të ushtrojë ai mbi administrimin e institucionit që drejton?
Ndryshimet e njëpasnjëshme në kupolën drejtuese të Bashkisë së Tiranës kanë shtuar tensionin politik dhe institucional, ndërsa përplasja rreth Veliajt tashmë nuk zhvillohet vetëm në sallat e gjykatave.
Në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë më 15 shtator, beteja për kontrollin dhe drejtimin e Bashkisë së Tiranës duket se është kthyer në një tjetër element të rëndësishëm të çështjes Veliaj.
Ndërkohë, çdo përplasje në drejtimin e bashkisë rrezikon të prodhojë pasoja për funksionimin normal të institucionit dhe, në fund, për qytetarët e Tiranës.
