Një ngjarje e rëndë u parandalua në Malin e Robit, pasi dhunimi i një kamerieri 18-vjeçar pas një sherri për pagën rrezikoi të përfundonte në tragjedi.
Florian dhe Arbër Habilaj, djemtë e pronarit të hotelit, së bashku me Enold Dragotin dhe një tjetër person, akuzohen se dhunuan të riun pas debatit për pagesën. 18-vjeçari përfundoi në Spitalin e Kavajës.
Pas ngjarjes, policia vuri në vëzhgim familjarët e të riut. Xhaxhai i tij, Melison Nela, 47 vjeç, pasi shkoi te berberi dhe më pas në xhami, u nis drejt hotelit me një kallashnikov në makinë.
Policia e ndaloi para hotelit. Në çantën e shpinës iu gjetën kallashnikov, 3 karikatorë dhe 103 fishekë luftarakë.
Ndërkohë, gjatë këqyrjes së biznesit ku ndodhi sherri, policia konstatoi se ambienti ishte pastruar, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.
Florian Habilaj dhe Enold Dragoti u arrestuan, Arbër Habilaj u shpall në kërkim, ndërsa një tjetër person u procedua në gjendje të lirë. Në pranga përfundoi edhe xhaxhai i 18-vjeçarit.
