Prej kohësh autoritetet ishin në gjurmët e tij, duke e ditur se arrestimi nuk do të ishte i lehtë. Taulant Toma, 42 vjeç, i lindur në Shqipëri, kishte fituar nofkën “Mjeshtri i arratisjeve”, pasi ishte arratisur katër herë nga burgje të ndryshme, tre herë në Itali dhe një herë në Belgjikë. Arratisja e fundit ndodhi në vitin 2025 nga burgu i sigurisë së lartë Opera, në Milano.
Policia Kombëtare spanjolle e lokalizoi në lagjen Campclar të Tarragonës, ku u arrestua të premten. Gjatë ndërhyrjes ai bëri rezistencë, ndërsa një prej personave që ndodhej me të hodhi një pistoletë Sig Sauer në disa shkurre. Arma u gjet më pas nga policia katalanase, Mossos d’Esquadra.
“E neutralizuam dhe menjëherë filluan të grumbulloheshin njerëz. I vumë prangat sa mundëm më shpejt dhe u larguam”, tha drejtuesi i grupit të njësisë për krimin ekonomik dhe fiskal (UDEF) në Tarragona.Rreth gjashtë efektivë kishin organizuar operacionin për disa ditë. Të premten, pak para se ta ndërprisnin mbikëqyrjen, panë Tomën në një automjet me persona të tjerë dhe ndërhynë për arrestimin e tij.
Hetuesit besojnë se ai ndodhej në Spanjë që prej janarit. Në momentin e arrestimit mbante dokumente identiteti të falsifikuara. Me të njëjtin identitet të rremë ishte arrestuar më parë në Girona për armëmbajtje dhe posedim eksplozivësh.
“Dokumentet ishin shumë të mirëfalsifikuara, por ne kishim një përshkrim fizik shumë të detajuar, përfshirë tatuazhe karakteristike dhe një shenjë të thellë në faqen e djathtë. Nuk kishte asnjë dyshim se ishte ai”, tha zyrtari i policisë.
Katër arratisjet e bujshme
Arratisja e parë e Tomës ndodhi në vitin 2009 nga burgu i Ternit në Itali, ku vuante dënimin për grabitje me dhunë. Duke përfituar nga koha kur të burgosurit ndodheshin në oborr duke luajtur futboll, ai kaloi përmes një vrime në rrjetën rrethuese, iu afrua murit të burgut dhe zbriti me çarçafë të lidhur. U arrestua dy muaj më vonë së bashku me kushëririn e tij, i cili akuzohej se e kishte ndihmuar.
Katër vjet më vonë, më 2 shkurt 2013, u arratis sërish, këtë herë nga burgu i Parmës. Me ndihmën e një bashkëkombësi që ndante qelinë me të, preu hekurat e dritares me një limë, kaloi përmes hapjes së krijuar, zbriti përsëri me çarçafë dhe përdori një mjet të improvizuar për të kapërcyer murin rrethues.
Liria zgjati vetëm disa muaj. Në shtator ai u arrestua në Belgjikë, por më 14 dhjetor u arratis edhe nga burgu i Lantinit. Sipas mediave italiane, arratisja u organizua me ndihmën e disa personave që morën peng një punonjës të burgut dhe krijuan trazira në oborr për të shpërqendruar rojet. Toma arriti të kapërcente murin duke u ngjitur mbi një piramidë njerëzore dhe më pas hipi në një automjet Opel Astra, që e priste jashtë.
Ai u arrestua sërish në vitin 2015 dhe në vitin 2019 u ekstradua në Itali. Për shkak të historikut të arratisjeve u dërgua në burgun e sigurisë së lartë Opera në Milano, por edhe aty arriti të largohej në dhjetor të vitit 2025. Ai preu sërish hekurat e qelisë me një limë, zbriti me çarçafë dhe përdori një mjet të improvizuar të ndërtuar me bishta fshesash dhe një grep metalik për të kapërcyer murin e burgut.
Pret ekstradimin drejt Italisë
Aktualisht Taulant Toma ndodhet në burgun Mas d’Enric në Spanjë, në pritje të ekstradimit drejt Italisë, ku i kanë mbetur për të vuajtur vite të tjera burg për shkak të dënimeve dhe arratisjeve të njëpasnjëshme.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle vijojnë kërkimet për një tjetër shtetas shqiptar, i identifikuar nga policia, i cili dyshohet se sulmoi efektivët gjatë operacionit të arrestimit.
Policia spanjolle ka njoftuar administratën e burgut për profilin e të arrestuarit dhe historinë e tij të arratisjeve./ElPais
