Një mënyrë e pazakontë është përdorur për të futur lëndë narkotike në paraburgimin 313 në Tiranë. Gjatë një kontrolli të zhvilluar ditën e djeshme, autoritetet gjetën 17 doza kanabisi dhe 12 doza kokaine, të cilat ishin fshehur brenda makaronave të gatuara.
Sipas verifikimeve, lëndët narkotike ishin porositur përmes telefonit nga i paraburgosuri O. Asllani. Më pas, ushqimi që do të dërgohej në paraburgim ishte marrë përsipër nga i afërmi i tij, shtetasi A. Xhamet.
Plani u zbulua gjatë kontrollit dhe A. Xhamet përfundoi në pranga, nën akuzën për futjen e sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.
Kontrolli u krye nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
