Kryeministri Edi Rama ka folur për ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Arben Ahmetajn, duke u shprehur për herë të parë publikisht i zhgënjyer nga ai.
Teksa komentoi akuzat për korrupsion, Rama tha se deri tani nuk ka parë të vërtetuar në gjyq një aferë që të ketë prekur buxhetin e shtetit.
“Dorën në buxhetin e shtetit duhet ta vërtetojmë në gjyq dhe deri më tani nuk kam parë shkelje të kësaj natyre. Kam parë akuza, me disa elementë të ekzagjeruar në dosjen e inceneratorëve nga SPAK-u, por në buxhet të shtetit ende nuk kam parë”, tha Rama.
Sa i përket emërimit të Ahmetajt në postin e zv.kryeministrit, pavarësisht akuzave që rëndonin ndaj tij, Rama tha se nuk udhëhiqet nga akuzat, por zgjedh t’u besojë njerëzve.
“Po të nisem unë nga akuzat për të mos e vendosur dikë në detyrë, unë duhet ta shkarkoja veten time çdo mëngjes nga çdo detyrë. Ose çdo darkë, se ja, jam akuzuar unë, nuk është akuzuar njeri në këtë vend. Dhe kjo, duke e ditur shumë mirë veten, më ka bërë që të mendoj që të tjerët akuzohen padrejtësisht”, deklaroi kryeministri.
Por Rama tha se koha i ka treguar se besimi i vendosur te Ahmetaj ka qenë i gabuar, duke e përshkruar ish-bashkëpunëtorin e tij si një “maskë karnavalesh”.
“Por koha vërtetoi që, në rastin që ju përmendët, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në një aset publik për t’u besuar. Në qoftë se del që burimi që ti ke investuar është i ndotur apo burimi që ti ke parë është i ndotur, apo maskë karnavalesh, është e dhimbshme, por është fakt”, tha Rama.
