Një takim i nivelit të lartë mes drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve të Paraguait ka vënë në fokus një prej pikave më të nxehta të luftës kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, së bashku me drejtuesin e sektorit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Vladimir Mara, dhe drejtuesin e sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimeve të Përbashkëta, Altin Dumani, zhvilluan takime në Paraguai me autoritetet e drejtësisë dhe luftës kundër narkotikëve.
Në qendër të diskutimeve kanë qenë rrugët ndërkombëtare të trafikut të kokainës drejt Europës, përdorimi i porteve dhe zinxhirëve ndërkombëtarë të logjistikës, si dhe shkëmbimi i informacionit strategjik për identifikimin dhe goditjen e strukturave kriminale që veprojnë përtej kufijve.
Vizita merr një rëndësi të veçantë edhe për Shqipërinë, pasi hetimet e viteve të fundit kanë treguar se grupet kriminale shqiptare nuk e kufizojnë aktivitetin e tyre vetëm në territorin europian.
Në këtë kuadër, Paraguai mund të jetë një hallkë e rëndësishme për hetuesit shqiptarë, jo vetëm për të gjurmuar itineraret e drogës, por edhe për të identifikuar personat, kompanitë, asetet dhe lidhjet financiare që mund të përdoren nga rrjetet kriminale shqiptare.
Takimi nuk duket të jetë thjesht një vizitë institucionale. Në tryezë është vendosur pikërisht ajo që përbën një nga sfidat më të mëdha të SPAK: të ndjekë krimin shqiptar përtej kufijve të Shqipërisë dhe të godasë zinxhirin e plotë të aktivitetit kriminal, nga burimi i drogës deri te destinacioni final dhe paratë e përfituara prej saj.
Autoritetet paraguajane kanë theksuar se shkëmbimi i inteligjencës dhe koordinimi ndërkombëtar janë thelbësorë për identifikimin e rrugëve të trafikut, çmontimin e organizatave kriminale dhe parandalimin e formave të reja të narkotrafikut.
©Copyright EPOST
Ky artikull është ekskluziv i EPOST, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar EPOST dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
