Ish-zëvëndëskryeministri në arrati Arben Ahmetaj ka reaguar pas daljes së Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Ahmetaj me ironi është shprehur se nuk e njeh ministren në fjalë dhe se nuk e dinte që ekzistonte një ministër që mbartte një pozicion të tillë.
“Kush është kjo? Pse, ka një ministre me emër të tillë? Ekzistojnë të tillë? Sepse nuk e di në rast se ju e njihni si gazetar, po unë nuk e njoh”, tha Ahmetaj për CNA. Teksa më tej raportohet të ketë shtuar në përgjigje: “Shprehini falënderimet e mia qyqes”.
Kujtojmë se ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, u pyet këtë të premte, pak pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, për audiopërgjimin ku pretendohet se dëgjohet biznesmeni shqiptaro-izraelit Ron Yefet, së bashku me dy biznesmenë ukrainas, teksa diskutojnë për marrëveshje biznesi dhe çështje që, sipas Ahmetajt, lidhen edhe me institucione shqiptare.
Në përgjigjen e saj, Ismaili iu drejtua drejtpërdrejt Ahmetajt, duke e sfiduar të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që janë ngritur ndaj tij.
