Vëllai i Igli Tares, Genti Tare, ka reaguar në një lidhje telefonike në emisionin “Top Story” në Top Channel, pas diskutimeve rreth vilës së përmendur në dosjen e Belinda Ballukut.
Genti Tare tha se vila ka qenë në pronësi të Igli Tares dhe se ishte Arbër Abazi, bashkëjetuesi i vajzës së tezes së Ballukut, Lorela, ai që kishte kërkuar ta blinte.
Sipas tij, Igli Tare kishte negociuar drejtpërdrejt me Samir Manen për blerjen e vilave, ndërsa Arbër Abazi, i cili zotëron vilën ngjitur me pronat e Tares, kishte shprehur interes për të blerë njërën prej tyre.
“Pas një viti e gjysmë që ka bërë punime, me fjalën e Igli Tares ka kërkuar ta blejë me çmimin që Igli e ka marrë, por Igli e ka kundërshtuar”, deklaroi Genti Tare.
Ai tha se pagesat për vilën ishin kryer nga llogaria e Igli Tares dhe kundërshtoi mënyrën se si çështja është trajtuar në dosje.
Genti Tare ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi lidhjen mes vilës dhe tenderit të përmendur në dosje, duke theksuar se Igli Tare e kishte blerë vilën në tetor të vitit 2020, ndërsa tenderi që përmendet në dosje është zhvilluar në vitin 2021.
“Pse priti Belinda Balluku t’i japë tender Arbër Abazit pas një viti?”, u shpreh ai.
Tare kundërshtoi gjithashtu pretendimet që, sipas tij, ngrenë dyshime mbi pasurinë e vëllait të tij, duke deklaruar se Igli Tare nuk ka fshehur pronën dhe se të ardhurat për blerjen e saj kanë kaluar përmes llogarisë së tij bankare.
Ai tha se do të ishte i gatshëm të pranonte çdo përgjegjësi nëse vëllai i tij do të kishte shkelur ligjin, por pretendoi se në dëshminë e tij në SPAK dhe gjatë sekuestrimeve ka pasur, sipas tij, “manipulime”.
