Metin Bushati, me profesion mësues, u mor në pyetje nga grupi hetimor pasi mbrëmjen e së shtunës në oborrin e banesës së tij në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër shpërtheu një sasi lënde plasëse.
“Nuk kam asnjë konflikt me asnjë person. Unë dhe bashkëshortja ime jemi mësues dhe bëjmë një jetë të rregullt. Nuk kam asnjë ide se përse më vunë tritol”, iu tha ai hetuesve.
Lënda plasëse shpërtheu rreth orës 21:30 duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas policisë, tritoli u hodh nga rrethimi i jashtëm dhe një kamera sigurie e fiksoi momentin kur personi e kreu këtë veprim, por nuk shquhet qartë, që të mund të identifikohet nga policia. Për momentin, burime policore bënë me dije se janë duke sekuestruar kamerat në zonë me shpresën se autori mund të ketë gabuar gjatë lëvizjeve të tij dhe të mund të identifikohet.
60-vjeçari, Metin Bushati dhe e shoqja prej vitesh ushtrojnë profesionin e mësuesit dhe në zonë njihen si persona jo problematikë. Policia është duke hetuar ngjarjen, si një paralajmërim të mundshëm për vëllain e Bushatit, i cili jeton në Gjermani dhe dyshohet të jetë përfshirë në aktivitet kriminal atje.
