Sori Al, kompania e përfshirë në skandalin e helmimit të studentëve në Akademinë e Policisë, ka ndërruar pronar. Biznesmenia Alma Tafani e ka shitur kompaninë tek Ramazan Troka për një çmim prej 2 milionë e 36 mijë eurosh, i cili sipas kontratës do të paguhet në tre këste të përvitshme.

Kontrata e shitblerjes së aksioneve është firmosur në 29 qershor vetëm 4 ditë pas helmimit të dytë të studentëve në Akademinë e Sigurisë. Por dy javë më parë AKU e zhbllokoi aktivitetin e kompanisë dhe tha se helmimi nuk kishte lidhje me ushqimin, pasi analizat e mostrave kishin rezultuar në përputhje me normat.
Ramazan Troka nuk është një emër i panjohur për biznesin e kateringut dhe po ashtu nuk rezulton pa lidhje biznesi me zonjën Tafani dhe bashkëshortin e saj, Nikolin Jaka. Më parë ai ka qenë pronar i kompanisë KPL, të cilën e pati blerë në vitin 2007 po nga zonja Tafani.
Troka ishte pronar i kompanisë deri në qershor të vitit të kaluar, ku ja shiti aksionet e saj po Alma Tafanit.
Kontrata e shitjes se KPL
Ndërkohë muajin e kaluar, zonja Tafani e shiti sërish kompaninë duke dalë nga tregu i ushqimeve katering. Sipas kontratës së shitjes, kompania KPL është blerë nga Mario Haxhiymeri për një çmim prej 45 milionë lekësh ose rreth 480 mijë euro.

Sori Al dhe KPL kanë qenë dy nga lojtarët më të rëndësishëm të furnizimit me ushqime të institucioneve publike. Në 6 vitet e fundit dy kompanitë kanë marrë së bashku mbi 45 milionë euro pagesa nga shteti shqiptar për të furnizuar spitalet, repartet ushtarake apo dhe burgjet me ushqime.
