Më shumë se një dekadë përpara se Gjykata Speciale në Hagë të shpallte fajtorë dhe të dënonte katër ish-krerë të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, krijimi i këtij institucioni ishte një prej çështjeve të diskutuara në nivelet më të larta politike në Prishtinë.
Ishte korriku i vitit 2015 kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një vizitë të papritur në Kosovë. Rama udhëtoi me helikopter dhe u takua me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, si dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi.
Vizita nuk ishte paralajmëruar më herët dhe mediat u njoftuan vetëm pak minuta para uljes së helikopterit të Ramës në aeroportin e Prishtinës. Në delegacionin shqiptar ishin edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe drejtori i Zyrës për Komunikim, Endri Fuga.
Zyrtarisht, në qendër të takimit ishte koordinimi mes dy qeverive për Samitin e Vjenës. Por, sipas burimeve të Top Channel brenda takimit, një nga temat e diskutuara ishte pikërisht nevoja për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
Sipas këtyre burimeve, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi i thanë Ramës se ishin duke u koordinuar me faktorët relevantë dhe se Gjykata Speciale pritej të miratohej së shpejti në Kuvendin e Kosovës.
Në atë periudhë, krijimi i gjykatës ishte një çështje e debatueshme në Kosovë. Vetëm disa javë para vizitës së Ramës, më 26 qershor 2015, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar të miratonte ndryshimet kushtetuese për themelimin e saj, pasi nuk ishte siguruar shumica e nevojshme.
Procesi vijoi gjatë muajit korrik. Hashim Thaçi zhvilloi takime me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës për t’i bindur që të mbështesnin krijimin e Gjykatës, ndërsa udhëheqësit e koalicionit qeverisës po koordinonin votat në Kuvend.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Amendamenti u miratua me 82 vota pro nga 117 deputetë të pranishëm, ndërsa pesë votuan kundër dhe një abstenoi.
Në atë seancë, Hashim Thaçi u kërkoi deputetëve të votonin për themelimin e gjykatës, duke e cilësuar atë një vendim të vështirë, por të lidhur me përgjegjësitë ndërkombëtare dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.
11 vite pas atyre zhvillimeve, Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata u dënuan me një total prej 81 vitesh burg për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit
