Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të martë masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pasi çështja u rikthye për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Seanca është planifikuar të zhvillohet në orën 09:30, në Dhomë Këshillimi.
Në vendimin e ri, Gjykata e Lartë do të duhet të vlerësojë nëse masa “arrest me burg” është proporcionale me pozicionin që Veliaj mban si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, arsyetoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë argumente të mjaftueshme për të justifikuar vijimin e masës së “arrestit me burg” ndaj Veliajt, veçanërisht duke pasur parasysh se ai është një funksionar i zgjedhur dhe drejtues i Bashkisë së Tiranës.
Rishqyrtimi i masës së sigurisë vjen në një moment kur Gjykata e Lartë ka rishikuar edhe një vendim unifikues të vitit 2011, që lidhet me masën e sigurimit “arrest me burg” dhe kohëzgjatjen e saj.
Sipas këtij vendimi, masa e “arrestit me burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht edhe masat e tjera alternative të sigurimit.
