Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndryshuar procedurat për vlerësimin, privatizimin, transformimin dhe shitjen e pronës shtetërore, duke vendosur ndër të tjera rregulla të posaçme për subjektet që kanë marrë pasuri shtetërore me qira ose enfiteozë, përfshirë kontratat me tarifën simbolike “1 euro”.
Ndryshimet janë përcaktuar me udhëzimin nr. 7, datë 1 shtator 2026, i cili ndryshon udhëzimin nr. 5222 të vitit 2015 për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926/2014 mbi kriteret e vlerësimit dhe privatizimit të pronës shtetërore.
Mes ndryshimeve formale, termi “pronë publike” zëvendësohet me “pronë shtetërore”, ndërsa krahas qirasë në procedura përfshihet shprehimisht edhe enfiteoza. Gjithashtu, referencat ndaj strukturave të mëparshme zëvendësohen me “strukturën përgjegjëse për privatizim”.
Një nga përcaktimet e reja lidhet me mënyrën se si nis procedura e privatizimit.
Institucionet qendrore dhe organet e vetëqeverisjes vendore duhet t’i dërgojnë Ministrisë së Ekonomisë kërkesat për privatizimin e pronave shtetërore që kanë në administrim ose pronësi. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr më pas urdhrin për fillimin e procedurës.
Kur Ministria e Ekonomisë u kërkon institucioneve një prononcim për privatizimin e një pasurie, ato kanë 30 ditë për të kthyer përgjigje. Në rast se janë kundër privatizimit, duhet të argumentojnë qartë arsyet e mosprivatizimit.
Udhëzimi ndryshon edhe përbërjen e komisionit që kryen vlerësimin e pronës shtetërore.
Komisioni ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe përbëhet nga tre anëtarë: një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për privatizimin, një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i ndërmarrjes ose institucionit që ka në administrim apo pronësi pasurinë.
Në varësi të procesit, ministri mund të përfshijë në komision edhe një auditues apo ekspertë të tjerë të licencuar.
Por pjesa me interes më të drejtpërdrejtë për biznesin lidhet me privatizimin e pronave që janë marrë më parë me kontratën simbolike “1 euro”.
Sipas udhëzimit, subjektet qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse të pasurive shtetërore me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë, të marra me kontratë “1 euro”, mund të kërkojnë blerjen e pasurisë, por vetëm nëse plotësohen një sërë kushtesh.
Prona nuk duhet të jetë pjesë e kategorisë së pasurive shtetërore të patjetërsueshme. Gjithashtu, subjekti duhet të ketë realizuar brenda afatit të përcaktuar në kontratë investime në vlerë mbi 5 milionë euro.
Por kufiri prej 5 milionë eurosh nuk është kushti i vetëm. Investimi duhet të jetë njëkohësisht në një vlerë më të lartë se 750% e vlerës së pronës shtetërore që kërkohet të blihet.
Kjo do të thotë se, për shembull, nëse një pronë shtetërore vlerësohet 1 milion euro, investimi i realizuar duhet të jetë mbi 7.5 milionë euro, krahas kushtit që të tejkalojë pragun minimal prej 5 milionë eurosh.
Përmbushja e këtyre kërkesave duhet të provohet me dokumentacion kontraktor, financiar dhe teknik, që vërteton realizimin dhe vlerën e investimit, si dhe dokumentet që përcaktojnë vlerën e pronës.
Edhe në rast se prona privatizohet, investitori nuk çlirohet nga detyrimet e marra më parë me kontratën e qirasë ose enfiteozës.
Në kontratën e shitjes duhet të përfshihet detyrimi që blerësi të realizojë të gjithë vlerën e investimit të parashikuar në planbiznes, brenda afatit të kontratës së mëparshme. Ky detyrim pasqyrohet si kufizim edhe në kartelën e pasurisë.
Po ashtu, blerësi nuk mund ta tjetërsojë pasurinë tek persona të tretë deri në përfundimin e investimit të plotë. Ndalimi regjistrohet në regjistrin kadastral si hipotekë ligjore.
Megjithatë, kufizimi nuk pengon zhvillimin e pronës sipas projektit të miratuar dhe as lidhjen e kontratave të sipërmarrjes ose porosisë për objektet që ndërtohen mbi të.
Rregullat janë të forta edhe në rast të mosrealizimit të investimit.
Nëse blerësi nuk përmbush investimin sipas kushteve dhe afateve të kontratës së mëparshme të qirasë ose enfiteozës, Ministria ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes.
Në këtë rast, pasuria e privatizuar rikthehet në pronësi të shtetit dhe shteti ka të drejtë të mbajë shumën që blerësi kishte paguar për blerjen e pronës.
Vetëm pasi realizohet investimi në vlerën dhe afatin e përcaktuar, blerësi njofton Ministrinë e Ekonomisë dhe paraqet aktin e vlerësimit që provon përmbushjen e investimit.
Udhëzimi rregullon edhe privatizimin përmes shkëmbimit të pronave shtetërore.
Kërkesa për shkëmbim mund të paraqitet vetëm nga institucionet qendrore, organet e vetëqeverisjes vendore dhe ndërmarrjet shtetërore në varësi të tyre, të cilat e kanë pasurinë në administrim, pronësi ose përdorim.
Pas marrjes së kërkesës, struktura përgjegjëse për privatizimin e vlerëson atë dhe i propozon ministrit miratimin ose refuzimin. Ministria duhet të marrë vendim brenda 60 ditëve nga paraqitja e kërkesës. /ekofin.al
