Gazetari i News24, Osman Stafa, është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi të dërguar në llogarinë e tij në Facebook. Pas kallëzimit të gazetarit, Policia e Shtetit ka nisur hetimet për identifikimin e personit që qëndron pas kërcënimit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Stafa ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në një rrjet social. Autoritetet dyshojnë se mesazhi është dërguar nga një llogari e falsifikuar.
Pas kallëzimit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Hetuesit po punojnë për të zbuluar personin që ka krijuar ose përdorur llogarinë nga e cila është dërguar mesazhi. Krahas identifikimit të autorit, policia po verifikon edhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Materialet i janë dërguar Prokurorisë për hetime të mëtejshme për tre vepra penale: “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”./
