Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë një rritje të ndjeshme të pagave, e cila, sipas Ministrisë së Financave, do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 40 milionë euro shtesë çdo vit, ndërsa rishikimi i pagave për periudhën 2023–2026 do të krijonte një efekt financiar të akumuluar prej 125 milionë eurosh.
Shifrat janë bërë publike nga ministri i Financave, i cili ka paraqitur edhe diferencën mes pagave aktuale dhe nivelit që kërkohet për disa kategori gjyqtarësh, duke reaguar kundrejt kallëzimit penal ndaj tij.
Për një gjyqtar të Shkallës së Parë, paga aktuale raportohet në 376,381 lekë, ndërsa kërkohet të arrijë në 567,421 lekë në muaj. Diferenca është 191,040 lekë, ose një rritje prej rreth 50.8%.
Për një gjyqtar të Shkallës së Dytë, paga aktuale prej 388,927 lekësh kërkohet të rritet në 586,335 lekë. Kjo do të thotë 197,408 lekë më shumë në muaj, ose një rritje prej rreth 50.8%.
Edhe më e lartë në vlerë absolute është diferenca për gjyqtarët e Grupit III në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sipas shifrave të publikuara, paga aktuale është 659,920 lekë, ndërsa niveli i kërkuar arrin në 994,877 lekë në muaj. Diferenca është 334,957 lekë në muaj, sërish rreth 50.8% më shumë.
Pra, në rastin e kësaj kategorie të GJKKO-së, paga e kërkuar i afrohet kufirit të 1 milion lekëve në muaj, ose 10,800 Euro.
Në terma vjetorë, pa përfshirë llogaritje të tjera, paga e një gjyqtari të Shkallës së Parë sipas nivelit të kërkuar do të arrinte në rreth 6.81 milionë lekë, ajo e një gjyqtari të Shkallës së Dytë në rreth 7.04 milionë lekë, ndërsa për një gjyqtar të Grupit III në GJKKO do të shkonte në rreth 11.94 milionë lekë në vit.
Përplasja për mënyrën e zbatimit të kërkesave për paga është përshkallëzuar edhe në planin institucional, pasi ndaj ministrit të Financave, Sekretarit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të thesarit në vend është depozituar një kallëzim penal për refuzimin e ekzekutimit të pagesave pa bazën përkatëse ligjore.
Sipas qëndrimit të Ministrisë së Financave, çështja pritet të marrë zgjidhje procedurale më 17 shtator, me miratimin e ligjit që, sipas ministrit, do t’i japë institucionit të drejtën administrative për të vepruar në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
