Vështirësitë e vazhdueshme financiare mund të lënë gjurmë edhe në shëndetin e trurit. Një studim i ri tregon se stresi kronik për paratë lidhet me rënie të kujtesës dhe një plakje më të shpejtë të trurit.
Studiuesit zbuluan se njerëzit që kanë përjetuar vështirësi ekonomike për periudha të gjata gjatë jetës kanë funksion më të dobët njohës në moshën 53-vjeçare, krahasuar me ata që nuk kanë pasur probleme të vazhdueshme financiare.
Studimi analizoi 2 mijë e 759 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe tregoi se pasiguritë e zgjatura ekonomike lidhen me ulje të kujtesës dhe ndryshime në tru që tregojnë një plakje më të shpejtë.
Sipas studiuesve nga Kolegji Universitar I Londrës, nuk janë episodet e veçanta të vështirësive financiare ato që kanë ndikimin më të madh, por akumulimi i stresit ekonomik ndër vite.
Ekspertët shpjegojnë se shqetësimet e vazhdueshme për paratë rrisin ngarkesën mendore, duke i lënë trurit më pak kapacitet për procese si përqendrimi dhe marrja e vendimeve.
Studimi tregoi gjithashtu se ndikimi i stresit financiar në plakjen e trurit ishte më i theksuar te burrat, personat që kishin kaluar vështirësi në fëmijëri dhe ata me rrezik gjenetik për sëmundjen e Alzheimerit.
