Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në banesën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni, në një prej zonave më të njohura dhe të monitoruara të Firences.
Sipas raportimeve të mediave italiane, autorët kanë përdorur mjete të forta për të shembur një pjesë të murit pranë derës së blinduar të apartamentit dhe më pas kanë arritur ta hapin atë me forcë.
Ngjarja ka ndodhur në një banesë të Kurisë, në Piazza Duomo, ku 97-vjeçari Ernest Simoni jeton së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni.
Në momentin e grabitjes, banesa ishte bosh. Kardinali ndodhej në Londër për një takim me Mbretin Charles III, ndërsa nipi i tij dhe bashkëshortja ishin larguar nga shtëpia rreth orës 13:00.
Kur u kthyen, ata gjetën apartamentin tërësisht të përmbysur. Hajdutët kishin kontrolluar pothuajse çdo hapësirë, duke hapur garderobat, valixhet, sirtarët dhe kasetat në kërkim të sendeve me vlerë.
Nga banesa janë marrë para cash, sende floriri, bizhuteri, medalje dhe një vulë floriri. Mes sendeve të vjedhura ishte edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni.
Ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje për hetuesit është mënyra se si është realizuar grabitja. Shembja e murit dhe dëmtimi i derës së blinduar duhet të kenë shkaktuar zhurmë të konsiderueshme, por askush nuk ka raportuar se ka dëgjuar apo parë diçka të dyshimtë.
Edhe prifti që banon në katin poshtë apartamentit nuk kishte vënë re asgjë. Sipas raportimeve, ai ka hedhur dyshimin se autorët mund ta kenë studiuar më parë banesën dhe lëvizjet e personave që jetonin aty.
Pas denoncimit, në apartament mbërritën karabinierët dhe ekspertët e policisë shkencore. Hetuesit kanë nisur mbledhjen e gjurmëve dhe po analizojnë gjithashtu kamerat e shumta të sigurisë në Piazza Duomo, një zonë me monitorim të lartë.
Por ajo që e bën edhe më të veçantë historinë është reagimi i kardinalit shqiptar pasi mori vesh për grabitjen.
Kur nipi i telefonoi në Londër për t’i treguar çfarë kishte ndodhur, Ernest Simoni nuk pyeti fillimisht për paratë, florinjtë apo sendet e tjera të vjedhura.
Pyetja e tij e parë ishte nëse grabitësit kishin prekur statujat fetare që mban në dhomën e tij, e cila ngjan me një kapelë të vogël.
Veçanërisht, kardinali pyeti për statujën e Zojës së Medjugorjes dhe atë të Atë Pios.
Hetimi vijon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të mënyrës se si grabitësit arritën të hynin në banesën e kardinalit shqiptar, në një prej zonave më të frekuentuara dhe të monitoruara të Firences.
