Një sasi prej 41 kilogramësh kokainë, me vlerë rreth 2 milionë euro, është sekuestruar në Portin e Durrësit, pasi u gjet në një prej kontejnerëve të kompanisë “AMG Food”, e cila importon produkte të ngrira nga Brazili.
Sipas njoftimit të Policisë, lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të një kontejneri me origjinë nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit, në kapakët e jashtëm të kontejnerit u konstatuan 37 paketime me lëndë narkotike, të mbështjella me ngjyra të ndryshme. Pas verifikimeve, rezultoi se bëhej fjalë për kokainë, me një peshë totale prej 41 kilogramësh.
Kontejneri ishte pjesë e një ngarkese me mish pule të porositur nga kompania “AMG Food”, e cila më herët ka qenë në qendër të një skandali lidhur me mishin e pulës me salmonelë. Në atë rast, rreth 15 mijë kilogramë mish pule dyshohet se kishin përfunduar në konsum.
Ndërkohë, lidhur me ngarkesën e kokainës, deri më tani nuk është raportuar për persona të arrestuar apo të proceduar penalisht.
Kompania “AMG Food” është në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, i cili zotëron edhe kompaninë “diMAL”.
Hetimet pritet të fokusohen në mënyrën se si droga është vendosur në kontejner, personat që kanë pasur dijeni apo rol në transportin e saj, si dhe destinacionin përfundimtar të ngarkesës.
